Tuesday, October 23, 2012

DHIMITER - FLORA - NIKOLLA - NISHKU




Dhimiter Antoni & Arkivi i Pavarsise pas 100 vjetesh!



Flatrova për gjysmëshekulli
dhe kurrë nuk kam parë
pëllumba të vdekur
vetëm të ndalur
mbi supet e tim eti
Ngjallet Ai
dhe mi fsheh
apo pëllumbat
nuk vdesin (V. Antoni)

Me strehen e beretes gri mbi syte e qeshur, pardesyne e vjeter, canten ne krah dhe miresine e shkruar ne fytyre, arkivisti e dijetari Dhimiter Antoni kthehej me hapin e ngadalte nga puna e sterzgjatur me dokumentet e kultures se gjere e te thellesishme ne arkivin qendror te shtetit shqiptar.
Nga bisedat me personalitetin pa tituj, tim gjysh Dhimitrin, ai më rrëfente nën zë si një tregimtar magjepsës apo nje guru i tempujve indiane, në dhomën e pritjes ku kaloi dhe agoninë e frymës së fundme prej mbingopjes se mushkerive nga dozat e helmeve per minjte e insektet ne galerite arkivore, se ishte në dijeni të faktit që At Shtjefën Gjeçovi pat lënë një dokument konfidencial të shkruar ku shprehej se ishte organizues i luftës së Vlorës deri në fitoren e saj megjithë petkun e klerikut katolik dhe se për këtë akt prej nacionalisti, italianët në bahkpunim me autoritetet fetare po të ishin në dijeni.mund dhe ta çonin në litar. Një tjetër pjesëz e historisë së pashkruar të kombit ish dhe leterkembimi i Pandeli Vangjelit ne Korçe, ish kryeministri në fillesat e shtetit modern ku ai shpalon veprimtarinë e tij si drejtues i kolonisë së shqiptarve të Bukureshtit në Rumani.
Trashgimtar dhe emetues i vlerave shumplanshe të familjes së shquar tiranase të atdhetarit Nikolla Nishku që ngriti flamurin e pavarsisë së bashku me nacionalistët e tjerë 26 Nëntorin e 1912-ës; Dhimiter Antoni mishëron një prej gurve themeltarë të Shtëpisë së Kujtesës, arkivit qendror të shtetit shqiptar me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore.
Zotërues i 4 gjuhëve të huaja si frëngjishtja, italishtja, rumanishtja dhe osmanishtja të cilën e mësoi përkrah miqve të tij osmanistëve par exelance si Haki Sharofi, Vehxhi Buharaja e Jonuz Tafilaj përgjatë një jete devocioni e prurjesh titanike në fondin arkivit qendror të shtetit shqiptar. I diplomuar në tre fakultete që prej filozofisë, Histori-Filologjisë dhe degës dy vjeçare të Arkivistikës Dhimitri i tejkaloi dijet e tija prej pasionit për qëmtimin e botimeve të periudhës së mbretërisë shqiptare si dhe leximeve të kryeveprave e studimeve poliedrike nga autorë të huaj veçmas në italisht. Në fondin e pasuruar prej tij të arkivave njihet sistemimi dokumentar i periudhës së pushtimit fashist ose luogo tenenca, 11 vjet mbretërimi të Ahmet Zogut, fondi i Rilindjes Kombëtare dhe më thelbësorja mbrojtja, pasurimimi dhe sistemimi i bibliotekës së klerit katolik shqiptar. Vetë familjet e besimtarve të këtij religjoni dhe fretërit që i mbijetuan pushkatimit e torturës shpreheshin se pranonin vetëm Dhimitrin për t'ia besuar koleksionin që bartnin si arkivist dhe askujt tjetër pasi qenë zhgënjyer shumë herë nga humbja, përvetsimi dhe shpërdorimi i librave nga disa arkivistë të tjerë që me ndërrimin e sistemit komunist botuan veprat personale pa treguar burimin dhe referencat letrare. Këtë e vërteton dhe drejtoresha e Arkivit qendror të Shtetit zonja Nevila Nika e cila në fillimet e profesionit të saj e pati si një udhëheqës shpirtëror apo si një mësonjës model në lamijtë e arkivistikës. I papërshkrueshëm qe ngazëllimi imzot Frano Ilias kur gjeti deri dhe fotografitë e nënës së tij në arkiva pas daljes nga burgu në vitet 90-të. Para se të ndërronte jetë ai mori vesh se ruheshin ende në arkiva veprat e bibliotekës së françeskanëve u përkul t'i puthte dorën por mori përgjigjen se një prej personaliteteve që e meritojnë një mirnjohje është dhe arkivisti Dhimitër Antoni. Mirnjohja si kryemotiv nuk vonoi në drejtim të tij, nëpërmjet një faksimiljeje ku në emër të klerit katolik i dedikoheshin falenderime të përzemërta për aktin qytetar të mbrojtjes së kujtesës kombtare. Dhimitri si një mjeshtër i lindur i komunikimit rrezatonte aftësitë për të zbuluar vlera duke i bërë për vete njerzit me dashamirsinë dhe oratorinë e tij ku përmblidheshin dije përtej akademike. Si intelektual ai mbante kontakte me personalitete si Hysni Myzyri, Ahmet Kondo e Kristaq Prifti. Enciklopedist mes kolegëve idealist Dhimtri bashkëpunonte në mënyrë progresive në pasurimin e arkivave me kolegen e nderuar zonjën Mediha Shuteriqi dhe profesionisten e cila gjallon dhe sot ne shtepine e kujteses, zonjen Eleni Duka.
Prof. Nevila Nika kujton plot emocion se kur nisi karrierën në arkivin e shtetit ishte më e vogla në moshë krahas Prof. Ferit Dukës, dhe natyrisht ishin dy më të bindurit karshi baballarëve të arkivit. Nga hija e rëndë e institucionit i cili ruhej me ushtarë, qen kufiri dhe derë gjigande hekuri me mure me kangjella, punonjës të moshuar e të heshtur patëm një befasi të këndshme. Mardhëniet dhe trajtesa shoqërore ishte zemërgjerë e lehtësuese sidomos nga mësonjësi dhe kolegu i saj Dhimitër Antoni. Ai hynte tek ata personalitete që e mbanin gjallë dhe dhuronin jetë institucionit. Bënte pjesë tek ata njerëz që nuk plakeshin kurrë sepse koha dukej se vepronte ngadalë përballë energjive të tyre të pashterrura. Në moshë ishte babai im sqaron ajo, por dinte të fliste edhe me bashkmoshatarët dhe më të rinjtë, ndryshe komunikonte me respekt me vajzat e me gratë. Gjente ngaherë nga një temë argëtuese për t'ua shkarkuar stresin e lartë që ka kjo lloj pune.
Puna nuk ndalej as të shtunën e as të dielën dhe Dhimitri nuk mungonte në angazhimin maksimal pavarësisht kërkesave që kishte familja. Vendosej në krye të çdo iniciative. Ai dhe disa kolegë të tij të rrallë, arriti të tejkalonte frymën e kohës, ideologjizimin e tejskajshëm të çdo qelize të jetës sepse primare konsideroi arkivin një pjesë të rëndësishme të jetës dhe shtëpinë e dytë. Kështu ai u përball me të njëjtat sakrifica që kërkon rritja e një fëmije. Sakrifikoi pa e ditur që po bënte një shërbim të jashtzakonshëm kombit dhe shtetit. Brenda vizionit të tij largpamës doli në pah "të diturit me dashtë atdheun". Dhe kjo nuk i kushtoi pak familjes Antoni. Ati humbi birin e tij të parlindur Gjergjin, liderin kulturor të djemve të rrugës së Dibrës në fillimvitet 70-të, të cilin si hakmarrje e tërthortë dhe paralajmërim krimi komunist e torturoi deri në çmëndje në moshën 19 vjeçare gjatë shërbimit të ferrit ushtarak.
Megjithse trumpetat e komunizmit klithnin internacionalizmi proletar ai hynte te shqiptarët e mirë dhe si i tillë e gjykoi në heshtje se pasuria kombtare i shërben të tashmes dhe të ardhmes të vendit. Përkushtimi gërshetuar me kurajon civile paksa të çmendur për kohën, kërkonte me domosdoshmëri një lloj justifikimi ose një vegje ku ta vije gishtin në filxhan për të justifikuar grumbullimin, marrjen në arkiv, mbrojtjen dhe konservimin e kësaj pasurie që rrezikonte të zhdukej e shfarosej duke na krijuar një boshllëk të pariparueshëm në memorien e kombit një amnezi të trurit shqiptar.
Zonja Nevila pohon se momenti delikat i luftes kundra objekteve të kultit qe pika kulmore e veprimtarisë së Dhimitër Antonit, por jo vetëm ndaj mbrojtjes së pasurisë së klerikëve akademikë. Duhet të mos harrohen familjet e ngritura të personaliteteve të letrave shqipe trajtuar keq politikisht nga regjimi si të burgosurit, të internuarit e të dëbuarit në ekzil. Ata që vinin nga familjet e shquara të historisë së vendit dhe që ndodheshin në mjerim të plotë. Fati i dokumentave të trashëguara nga familjarët riskohej vërtet me djegie ose përvetsim nga diktati. I ndjeri Dhimitër Antoni, Dhimitër Kotini, Ndrek Nallbani, Ndre Shllaku e një plejadë- bërthamë e fortë kulturalisht, menduan të vrujojë ruajtja e dokumentave me dëshirën e mirë për të krijuar, konsoliduar e shpënë përpara barkën e arkivit të kujtesës historike. Dhimitri me syrin e mëndjes ishte kryestrumbullari i këtij misioni të dijes. Nuk qëndronte kurrë në një vend. Mendonte se diku në një familje rrezikoheshin vlera kombtare dhe ishte i pari si zbulues që nxitonte për të siguruar prurjen. Njeri i shumë pasioneve me shpirt artisti, luante në violinë e pikturonte, skiconte portrete me një intuitë marramendëse. Ndër cilësitë e veçanta të karakterit të tij burrëror ishte dhe humori, e qeshura e përhershme në fytyrën atërore, pa harruar sensin e theksuar të drejtësisë sociale; saqë në një mbledhje të stafit në mënyrë demonstrative gjysëm shakaje, nxori nga salla megjithë karrige një kolegen tonë që fliste tej mase pa kontrolluar se cilin fyente me fjalorin e saj dhe kotësirat që thoshte. Njihej si publicist aktiv në gazetat e kohës sidomos pamfletet satirike ndërsa ruaj me nostalgji diku në një dhomëz antike të arkivit, poezitë dhe dorshkrimet e tij në këndin ku meditonte krahas punës. Falë tij ne kemi dhe firma të mëdha të familjeve të njohura shqiptare në drejtim të ekonomisë si firma e esnafeve famoz te oxhakut shkodran Suma. Sidomos lexonte me ëndje letërkëmbimet e ketyre esnafëve , të cilët kishin bërë historinë e qytetit dhe të Shqipërisë e rajonit. Gjinden në shënimet e tij të lexuara kalimthi përshkrime të sakta mbi anijet me famë të përbotshmë ulqinake dhe lundrimet e tyre. Ka bërë një skicim të Mesdheut në vija tregtare që ndiqnin disa shqiptarë të lartë, sepse arkivi ka një cilësi të pakrahasueshme me shumicën e institucioneve.
Pra në arkiv "ke kohë të turpërohesh edhe pas vdekjes", sepse ke lënë gjurmë. Ne e ndjejmë se sa herë shfletojmë ndonjë dokument shprehet zonja Nevila, psherëtijmë me gaz" Eh, e ka lënë Dhimitri". Natyrisht unë njoh dhe shkrimin e tij. Asgjë nuk fillon nga zeroja, është dikush i cili ka qënë iniciati. Është një kurajo qytetare e pabesueshme për kohën që personalitete pa spaletat e kohës ti bindin autoritetet sypërflakura të padijes dhe diktaturës duhej të ndalej përballë veprave monumentale të qytetërimit shqiptar. Fare mirë mund të bëhej dhe argumentimi se ky dokumentacion i përket armikut të klasës dhe duhet shkatërruar, pse duhet ruajtur? Me këtë logjikë mund të ishte shkuar dhe me letrat e Mitat Frashërit të Lef Nosit, dhe personaliteteve të kulmuara. Arkivi i shndërrua në një lloj oazi falë këytre punonjësve që në një farë mënyrë ishin drejtuesit de fakto të këtij institucioni dhe personifikonin mëndjen e zemrën e kolonave të arkivit të shtetit. Nuk kish se si që personalitete të brumosur në gjimnazin shteteror me formim artistik e perëndimor si Dhimitër Antoni të pranonin rolin e nëpunsit apandisit brenda zyrave duke vegjetuar. Nuk ia lejonte formimi tij intelektual dhe tradita e etërve të zinte merimanga në një qoshe duke bërë vetëm detyrën e syzave të kalit.
Vërtetsisht ai diti ta dojë dhe tua rrënjosë këtë sëmundje të bukur të koleksionimit dhe ruajtjes së dokumentave të vjetër. Ai u prek me periudhën para 44-ës sepse pikërisht atje rreziku i humbjes së vlerave të paçmueshme ishte më i rëndësishëm. Pavarsisht se nuk la asnjë vepër të shkruar të trajtesave në sferat historike ose albanologjike,ai hartoi vete shume prej tyre duke u permendur ne botimet e grup autorve arkiviste, por shpesh harrohej emri i tij kur puna ishte me kolosale ne veprat studimore.
Dhimitër Antoni ne te kundert nga ç 'vepruan shumë kolegë të tij brenda kornizave ideologjike të sistemit totalitar, parapëlqeu të heshtet duke mos pranuar maskën e hipokrizisë në ballafaqimin e dhimbshëm të vërtetat e prekshme e të ndaluara të historisë së shqiptarve,duke bërë një shërbim shumë më sipëror sesa një botim i mangët i politizuar për bashkohësinë.
Sikur ta kishte përballë në këto momente guidën e saj në profesionin fisnik shprehet drejtoresha e arkivit qendror të shtetit do ta përqafonte duke i thënë një "Faleminderit" me zë të lartë, për atë frymë mirësie që na gërryen për fortësimin e kolonave të ngrehinës së kujtesës së kombit.Mirnjohje mjeshtrit poliedrik e vizionar që në atë terr të regjimit që mumoste shpirtrat na la pas një vegim te drite te kulluar, në jetësimin e vlerave të së kaluarës, pa të cilat asnje komb e qytetrim nuk mundet të ketë vijimesi.





No comments:

Post a Comment